Structure_LogoPart1



Historia e Finlandës

Suomen historiaa

Njerëzit mbërrijnë në Finlandë

Pas periudhës së Akujnajave afro 10 000 vjet më parë në Finlandë filluan të mbërrijnë njerëzit. Ata erdhën nga lindja, nga zona të Rusisë së sotme dhe nga jugu nëpërmjet vendeve të Baltikut. Origjina e gjuhës finlandeze, që bën pjesë në grupin ugro-fin të gjuhëve, gjendet nga Rusia Qendrore, por në gjuhën finlandeze janë gërshetuar edhe materiale nga gjuhët e tjera, si për shembull nga gjuhët baltike dhe gjermane. Në Finlandë ka ekzistuar një popullsi suedishtfolëse prej mbi 800 vjetësh. Kolonët, të cilët u shpërngulën nga vitet 1200 dhe 1300 në Finlandë, erdhën nga Suedia Qendrore dhe sollën me vete edhe dialektet e suedishtes.

Periudha e sundimit të Suedisë

Finlanda ka qenë pjesë e Suedisë për 600 vjet që nga koha e Mesjetës e deri në fillimin e viteve 1800. Gjatë këtyre viteve Suedia dhe Rusia luftonin njëra-tjetrën për influencë në Finlandë, shpeshherë me konflikte të armatosura.

Në Paqen e Pähkinäsaarit në vitin 1323 u ra dakort që Finlanda e somte perëndimore dhe jugore t’i merrte Suedia, ndërsa Rusia do të merrte Finlandën lindore.

Më vonë gjatë viteve 1500 dhe 1600, si pasojë e luftrave të zhvilluara, suedezët e zgjeruan së tepërmi kontrollin e tyre mbi Finlandë. Në vitet 1700 Suedia humbi lufta dhe në vitin 1809 i gjithë territori i Finlandës kaloi nën kontrollin e Rusisë. 

Finlanda si pjesë e Rusisë

Gjatë qeverisjes së Rusisë Filanda ishte principatë autonome, pra vetëqeverisëse. Filanda kishte qeverinë e vet, pra senatin, por princi ishte cari i Rusisë. Gjatë sundimit të Rusisë Filanda kishte edhe paranë e vet të vecantë, ndërsa në ushtrinë ruse kishte për një kohë të gjatë një divizion finlandez.

Finlandezët e shfrytëzuan autonominë e tyre më së miri për të çuar përpara interesat e tyre. Gjuha, kultura dhe mirëqenia e finlandezëve u rrit në mënyrë të ndjeshme gjatë këtyre viteve. Megjithatë në fillim të viteve 1900 marrëdhëniet me pushtetarët rusë u  acaruan për shkak të politikës së rusëzimit, politikë të cilën finlandezët nuk e pranuan.

Finlanda fiton pavarësinë 

Pas revolucionit të tetorit në Rusi, parlamenti i Finlandës miratoi në datën 6 dhjetor 1917 deklaratën e pavarësisë, c’ka nënkuptonte ndarjen nga Rusia.

Në fillim të vitit 1918 në Finlandë shpërtheu lufta civile, ku të kuqtë të cilët përfaqësonin klasën punëtore luftuan kundër të bardhëve të cilët përfaqësonin fshatarët. Lufta përfundoi në maj të vitit 1918 me humbjen e të kuqve.

Finlanda e pavarur u bë republikë parlamentare ku në vend të mbretit dhe carit zgjidhet nga populli presidenti një herë në gjashtë vjet dhe ku ligjet bëhen nga parlamenti i zgjedhur nga populli.

Lufta e dimrit dhe lufta e vazhdimit

Bashkimi Sovjetik sulmoi Finlandën më 30.11.1939 dhe kështu filloi Lufta e Dimrit. Gjatë Luftës së Dytë botërore Finlanda bëri dy lufta kundër Bashkimit Sovjetik. Përveç Luftës së Dimrit gjatë që u zhvillua në vitet 1939-1940, u bë dhe Lufta e Vazhdimit në vitet 1940-1944.

Si pasojë e luftave, Finlanda humbi Karelian dhe zona të tjera të cilat i kaluan Bashkimit Sovjetik. Në këto zona banonin rreth 430 000 finlandezë të cilët u larguan nga vendbanimet e tyre si refugjatë dhe u vendosën në trevat që i mbetën Finlandës. Ajo çka ishte më e rëndësishme, Finlanda nuk u pushtua kurrë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pavarësisht territoreve të humbura, mbeti vend i pavarur.

Finlanda pas luftrave

Pas luftrave pozita e Finlandës ishte e pasigurtë. Në fillim u duk sikur Bashkimi Sovjetik do të përpiqesh ta bënte Finlandën vend komunist, njësoj sikundër kishte ndodhur me shumë shtete evropianë fqinjë të Bashkimit Sovjetik pas luftës. Megjithatë Finlanda pati sukses në krijimin e marrëdhënieve të mira me Bashkimin Sovjetik, ruajtjen e sistemit demokratik dhe rritjen e tregtisë me vendet perëndimore. Megjithatë Finlandës ju desh për një kohë të gjatë të mbante balancën e duhur midis Bashkimit Sovjetik dhe vendeve perëndimore.

Zhvillimi ekonomik i Finlandës pas luftrave ishte shumë pozitiv. Finlanda eksportonte në botë kryesisht letër dhe prodhime të tjera industriale. Kështu përftoheshin të ardhura për rritjen e mirëqenies. Edhe shërbimet publike u zhvilluan duke krijuar shkollimin e shërbimin shëndetësor publik dhe sistemin e sigurisë shoqërore, të cilat e bënë Finlandën një shtet modern të mirëqenies.

Finlanda në Europën e re

Pas përfundimit të luftë së ftohtë në Europë, nga fundi i viteve 1980, edhe Finlandës ju desh të korrigjonte politikën e saj të jashtme. Në vitin 1995 Finlanda u bë anëtare e Bashkimit Europian. Në vitin 2002 Finlanda ishte ndër vendet e para që futi në përdorim monedhën e përbashkët të BE:së, euros, duke hequr dorë kështu nga monedha e saj, marka.

Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në fillim të viteve 1990, ekonomia e Finlandës u fut në krizë të thellë, midis të tjerash, edhe për shkak të uljes së tregtisë me Bashkimin Sovjetik. Njëkohësisht u bë e qartë se përveç industrisë së letrës ekonomia e Finlandës kishte nevojë edhe për biznese të suksesshme të fushave të tjera. Çelësi i këtij suksesi u bënë telefonat e dorës dhe prodhimet e tjera të teknologjisë së lartë, falë së cilave ekonomia e Finlandës ka marrë pamjen e re të një ekonomie moderne. 

Lidhje lidhur me historinë e Finlandës:

Vilma
Njohuri për emigrantë mbi historinë e Finlandës dhe mbi shoqërinë finlandeze në finlandisht. Gjuha e Vilmas është gjuhë e thjeshtë. Mund ta zgjedhësh vetë nivelin e gjuhës, në fillim.

Finnica
Njohuri të detajuara mbi Finlandën dhe historinë e saj në finlandisht.

thisisFinland
Në faqet e hartuara nga Ministria e Jashtme ka informacione të gjithanshme mbi historinë e Finlandës në anglisht.